Na ishte një Pike “politikan”, tani Pike do të blejë një klub futbolli?

Zherar Pike, një nga figurat më të dashura spanjolle në fushë, por jo aq të dashura jashtë saj, paralajmëroi se grupi i tij investues “Kosmos” do të investojë jo vetëm në sportin e tenisit, por edhe në futboll.
Sa për dijeni, “Kosmosi” i bleu Federatës Ndërkombëtare të Tenisit të drejtën e organizimit të një prej konkurrimeve më të vjetër në botë, sikurse është e tillë Kupa Dejvis, që do të riorganizohet dhe që nga viti i ardhshëm do të zhvillojë një turne final në Madrid. Shumë tenistë dhe dashamirës të “sportit të bardhë” janë revoltuar, për shkak të prishjes së një tradite të gjatë 118 vite, ndërkohë që Novak Gjokoviçi dhe Rozhe Federeri kanë bërë të ditur se ata nuk do të marrin pjesë në këtë konkurrim.
Sidoqoftë, fillim i vështirë i Kupës së re Dejvis nuk e ka demoralizuar biznesmenin e ri katalonjas (Pike), por duket se e ka nxitur atë edhe më shumë, duke qenë se ai ka në plan që tani ta kalojë “biznesin” e tij edhe në futboll.
“Momentalisht, unë kam në dore dy projekte, njëri prej të cilëve ka të bëjë me blerjen e një klubi futbolli. Projekti tjetër parashikon krijimin e një konkurrimi të ri futbollistik”, tha Zherar Pike.
Sfidanti.al