Mrekullitë e Simeones, më parë me Diego Kostën, tani me Moratën

Çfarë prek Diego Pablo Simeone kthehet në “ar”. Trajneri i Atletikos ka mënyrën e tij të veçantë të punës me yjet, dhe ndër më të rëndësishmit janë ata të sulmit. Mrekullia e fundit e argjentinasit ndodhi me Alvaro Moratën, sulmuesin e “dëbuar nga shtëpia” prej Realit të Madridit, dhe që ishte një dështim i vërtetë tek Çelsi. As Konte dhe as Sarri nuk ia dolën ta “ndiznin”.

Këtë po e bën Simeone, dhe mediat spanjolle po e ngrejnë në qiell Moratën pas dy golave të shënuara në ndeshjen e fundit të La Ligës, në fushën e Sociedadit. “A nuk do të ishte titullar një Morata i tillë, tek Reali?” – është pyetja e gazetës “Marka”. “Jam i lumtur këtu sepse kam vuajtur shumë”, – thotë vetë Alvaro, ndërsa Simeone thekson se “më shumë sesa për golat, jam i lumtur për punën që po bën Morata”. Simeone po bën mrekullinë e dytë, pasi bëri të parën me Diego Kostën, që thuajse shkatërroi karrierën nga sherri tek Çelsi, me Konten.

Sfidanti.al