Mesi, njeriu që ka marrë pjesë në mbi 1 000 gola në karrierë!

Nuk i ka shënuar që të gjithë vetë, ndërsa flasim vetëm për rrjetat zyrtare për ekipin e të rriturve. Mes Barcelonës dhe Argjentinës, kampioni i madh me numrin 10 ka një numër të kombinuar 1002, mes golave dhe asisteve. Saktësisht janë 696 gola dhe 306 asiste. Kjo, pas 4 goditjeve ndaj Eibarit në La Liga. Nuk ka asnjë lojtar tjetër të epokës sonë, ndoshta as në histori, që të ketë këto numra. Mesi ka fituar 6 Topa të Artë, 6 Këpucë të Arta të Europës dhe 6 Këpucë të Arta të Spanjës.

Për të fituar Këpucën e 7-të të Artë spanjolle besohet se nuk do të jetë e vështirë, pasi ka 18 rrjeta në kampionat ndaj 13 të Benzemasë, ndërsa do të jetë më e vështirë në Europë, sepse Imobile ka 26 rrjeta në Serinë A dhe Levandovski 25 në Bundesligë. Gjithsesi, kur je Mesi mund të bësh gjithçka, ndonëse për të më shumë rëndësi kanë titujt ekiporë. Me Barcelonën synon të fitojë Championsin e pestë dhe La Ligën numër 11. Me këtë të fundit, do të mbetej vetëm 1 titull prapa rekordit që e mban Fransisko Gento i Realit.

Sfidanti.al