Luis Suarez festoi më shumë për golin apo për kartonin e verdhë?

Luis Suarez u pa në humor shumë të mirë në stadiumin e Seviljes mbrëmjen e djeshme. Shënoi gol dhe s’kish si ndodhte ndryshe, do të thoshte dikush. Shumë dakord, por duket se pati edhe një arsye tjetër të fortë që uruguajani u ndje i lumtur. Kjo arsye ishte kartoni i verdhë që mori ai në ndeshje e sipër, gjë që nuk do ta lejojë të luajë në ndeshjen e radhës në ligën spanjolle ndaj Malagës.

Punë e madhe! Kjo e keqe ka nga prapa një të mirë të madhe, pasi Suarez do të jetë i gatshëm për Barcelonën për përballjen më të madhe të sezonit, “El Klasikon” ndaj Realit. Më përpara do të jenë ndeshjet e kombëtares, pastaj ndeshja me Malagën në 19 nëntor, dhe në radhë vjen Reali në “Kamp Nou”.

A mund të thuhet që Suarez e mori me qëllim kartonin e verdhë? Ndoshta, por deri më sot FIFA nuk ka vënë në punë ndonjë “makinë të së vërtetës”, për të ndëshkuar këta lloj fajtorësh (gjithnjë, nëse janë të tillë)!

B. Kuka