Lajme të mira për Realin, Ançeloti do dy yje “të tepërt” tek Evertoni!

Garet Bejli dhe Hames Rodrigezi janë dy nga “brengat” e sotme të presidentit Florentino Perez dhe të trajnerit Zinedin Zidan. Dy yjet e marrë me shumë bujë, dhe që kanë kushtuar mbi 175 milionë euro, të dy bashkë, sot janë një “barrë” tek Reali, dhe në “Santiago Bernabeu” mezi presin që t’i “heqin qafe”. Karlo Ançeloti, ish-trajneri madrilen, që i njeh lojtarët, mund ta ndihmojë Realin, pasi lajmet janë që i do që të dy.

Nuk dihet forma në të cilën Ançeloti dëshiron t’i marrë yjet tek Evertoni, por informacioni është se thjesht i dëshiron. Mund të jetë huazim me të drejtë blerjeje kartoni më vonë, mund të jetë blerje e kartonit të njërit, dhe huazim për tjetrin, apo diçja tjetër. Tek Reali janë shprehur se janë gati të pranojnë që Bejli të largohet edhe falas, ndërsa klubi do të shpëtojë nga rrogat e tyre, pasi uellsiani merr 15 milionë euro në vit dhe Hamesi edhe më shumë se kaq, ndoshta 17-18 milionë euro.

Sfidanti.al