Kupa u mbush: Hames Rodrigezi do të largohet këtë verë nga Reali

Lojtari kolumbian, Hames Rodrigez, pas përfundimit të këtij sezoni, do të largohet, përfundimisht, nga Reali i Madridit, vinte në dukje, ditët e fundit, gazeta spanjolle “As” që, përgjithësisht, është mjaft e besueshme, kur shkruan për zhvillimet brenda klubit madridas. Mbas incidentit që shkaktoi Rodrigezi në ndeshjen jashtë me Leganesin, kur nuk u përshëndet me trajnerin Zidane që e zëvendësoi atë në pjesën e dytë, ndërkohë që i tha atij (Zidanes) edhe disa fjalë të pahijshme, krerët e klubit “mbretëror” vendosën, përfundimisht, që ta shesin atë (Rodrigezin) gjatë periudhës verore të transferimeve.

Në fakt, qëkur ka ardhur, ky futbollist kolumbian, rrallë herë, e gjeti veten tamam në “Santiago Bernabe”, megjithëse erdhi me statusin e një ylli të madh, dhe numrin më të madh të ndeshjeve ai e ndoqi nga stoli i rezervave ose duke hyrë në fushë në pjesën e dytë. Duket qartë se një situatë e tillë e ka zhgënjyer Hamesin, megjithëse Zidane tha, publikisht, se ky lojtar është një pjesë e rëndësishme e ekipit.

Për Hames Rodrigezin, tani, po interesohen Mançester Junajtidi, Juventusi, Bajerni Mynih dhe PSZH-ja.

sfidanti.al