Kristiano Ronaldo nuk e lë modestinë: E dija se isha i veçantë!

Fjalën “i veçantë” e ka përdorur më parë Zhoze Murinjo, dhe ai u quajt “I veçanti”, apo “Speciali”. Kristiano Ronaldo, përsa i përket “modestisë”, nuk i lë mangut asgjë ish-trajnerit të tij. E shprehin shumë qartë deklaratat pas fitimit të Topit të Artë për herë të katërt. “Në mendjen time gjithnjë e kam ditur se kam qenë ndryshe nga të tjerët, – ishin fjalët e tij, – pra, unë besoja se do të bëhesha lojtari më i mirë në botë”. Gjithsesi, duke e kuptuar se e kishte tepruar, Kristiano shtoi fjalët e tjera se “një trofe të tillë mund ta fitosh me ndikimin e shumë faktorëve, ndaj unë duhet të falenderoj shokët e skuadrës tek Reali dhe te kombëtarja, që ia kam dalë”. “Nuk kisha menduar se do ta fitoja Topin e Artë katër herë, por ndoshta një herë”, – theksoi CR7. Këto fjalët e fundit duken prej kampioni të vërtetë dhe normal, ndërsa përsa i përket “të veçantit”, kurrë nuk e kemi dëgjuar Lionel Mesin (sa për një shembull) të thotë gjëra të tilla, edhe pse e ka fituar Topin e Artë, plot 5 herë.