Jo, Mesi nuk i ka harruar golat; i ka kaluar apo jo 700 në karrierë?!

Kishte 4 ndeshje që nuk shënonte, arriti deri në 398 minuta pa e bërë këtë gjë, diçka e rrallë për të. Gjithsesi, Lionel Mesi e dinte se ishte çështje kohe që të takohej me golin. Katër “plumbat” ndaj Eibarit bënë që ai të ketë 18 rrjeta në 20 ndeshje kampionati, duke iu afruar mesatares së tij normale. Në sezon ka 23 “shënjestra” në 28 ndeshje dhe synon të kapë sërish 40-en e përhershme. Nëse do t’ia dalë, do të jetë sezoni i 11-të radhazi, një rekord botëror.

Por, në çfarë niveli është Mesi në karrierë, në lidhje me golat? Nëse llogarisim ata që ka shënuar për Barcelonën (626) dhe ata që ka shënuar me kombëtaren e Argjentinës (70), arrin në 696, pra i duhen edhe 4 goditje që të arrijë nivelin e jashtëzakonshëm 700. E gjitha kjo në vetëm 853 ndeshje. Nëse do të shtojmë edhe golat me ekipet kombëtare të moshave të Argjentinës (U20, U23), atëherë Mesi do të kishte 716 gola në 876 ndeshje. Besohet se një talent si ai, dhe me ambicien që vazhdon ta ketë, padyshim do të kërkojë të kalojë 1 00 ndeshjet, ashtu si Kristiano Ronaldo, dhe të shënojë më shumë se 800, pse jo edhe 900 gola, për t’u bërë golshënuesi më i mirë në histori.

Sfidanti.al