Hidhërimi i Rakitiçit: Më kanë hequr topin, çfarë trishtimi!

Për pesë vjet ishte një nga titullarët e Barcelonës, duke fituar Championsin dhe disa tituj kampion në La Liga. Gjithsesi, Ivan Rakitiç duket se ka arritur në fundin e karrierës së tij në “Kamp Nou”, duke u lënë jashtë formacionit nga trajneri Ernesto Valverde. Në moshën 31-vjeçare, tek ai po ndikon edhe dëshira e klubit për ta transferuar, por ndoshta edhe një rënie relative e formës, ndërsa mesfusha katalanase mbetet pronë e eksperimenteve. Autori i gati 100 golave për klubet, dhe fituesi i 13 trofeve në Barçën, sot ndihet i dëshpëruar.

“Më kanë hequr topin nga këmba, – thotë ai, cituar nga gazeta “Marka”, – ndihem i trishtuar. Jam 31 vjeç, nuk jam 38, dhe ndjej se jam në momentin më të mirë të karrierës. Nuk ndihem aspak keq”. Juventusi, Interi dhe Milani po luftojnë për ta marrë në Serinë A.

Rakitiç erdhi në 2014 nga Sevilja, fitoi Championsin me Luis Enriken në 2015, u shpall 4 herë kampion i Spanjës (2015, 2016, 2018, 2019), fitoi 4 Kupa të Mbretit, një Superkupë të Europës dhe një Kupë të Botës për klubet. Me Seviljen fitoi Ligën e Europës në 2014, ndërsa me Bazelin fitoi Kupën e Zvicrës në 2007.

Sfidanti.al