Grizman, nëse i ke thënë këto fjalë, më i mirë ik nga Barcelona!

Një revistë si “Frans Futbolli” është e vështirë të vihet në dyshim. Edhe mund të ndodhë, por flitet për një nga botimet më të shquara sportive, dhe informacioni i saj presupozohet të jetë i saktë. E pra, sipas “Frans Futbollit”, Antuan Grizman nuk është pritur mirë tek Barcelona, dhe se ai ndihet keq në “Kamp Nou”. Madje, revista franceze shkruan se këto fjalë kanë dalë nga vetë goja e Grizmanit, ndërsa mban sekret burimin se nga është marrë ky informacion. Më tej, “Frans Futbolli” vë në gojën e sulmuesit franceze “ata janë xhelozë për mua, për shkak të Botërorit 2018”. Pra, Botërorit që e fitoi Franca e Grizmanit, dhe jo Spanja e Pikesë, Zhordi Albës apo Busketsit, dhe Argjentina e Mesit. Vetë sulmuesi i ka hedhur poshtë këto lajme si të pavërteta. Gjithsesi, e vërteta dihet nga vetë kampioni i botës dhe nga lojtarët e tjerë të Barcelonës. Nëse gjendja është kështu, Grizmani bën mirë të largohet sa më parë.

Sfidanti.al