“El Klasiko” do të shtyhet, por se kur do të luhet askush nuk e di!

Zyrtarisht nuk do të luhet në datën e paracaktuar. Federate Mbretërore Spanjolle e Futbollit (sipas titullit të plotë) konfirmon se Barcelona-Real Madrid do të zhvendoset nga 26 tetori, kur i takonte të zhvillohej sipas kalendarit. Ky është vendimi i parë i marrë në selinë në Madrid (jo larg selisë së Realit), por vendimi i dytë duket shumë më i vështirë.

Kur do të luhet “El Klasiko”? Fjala ishte për në 18 dhjetor, që është një datë për ndeshje kupe, por ku nuk pritet të luajnë skuadra të mëdha. Gjithsesi, problemi është se duhen bindur jo vetëm Barça dhe Reali, por edhe klube të tjerë. Data 18 dhjetor është e mërkurë, ndërsa në javën paraardhëse, Barça duhet të ndeshet me Majorkën, e Reali me Espanjolin. Presidenti i Ligës Spanjolle, Havier Tebas, do të duhet të takohet me drejtuesit e Majorkës dhe Espanjolit, për të gjetur kompromis, pra për të lëvizur ndeshjet. Ekziston edhe datat 7 dhjetor, por dy ditë më pas, Reali luan në Champions ndaj Bryzhit, një ndeshje që mund të jetë vendimtare për kualifikim.

Sfidanti.al