E ardhmja e Zidanit? Presidenti Perez e quan një bekim për Realin!

Nuk kishin përfunduar ende festimet, kur disa fjalë të tij krijuan shqetësim. Zinedin Zidan doli në konferencë për shtyp pas fitores së titullit në La Liga, dhe hodhi disa dyshime për vazhdimësinë e tij në Madrid. “Dëshira ime është që të vazhdoj këtu, – u shpreh trajneri francez i Realit, – por, në këtë sport nuk i dihet kurrë sesi do të jetë e ardhmja, ndaj nuk më pëlqen të bëj parashikime. Për momentin, le të kënaqemi e të mendojmë se çfarë mund të bëjmë në Champions”.

Kjo ishte një habi e madhe e një tronditje e vërtetë nga trajneri i një skuadre që arriti 10 fitore radhazi e 1 barazim, që prej rifillimit të kampionatit, duke parakaluar Barcelonën e Lionel Mesit. Presidenti Florentino Perez nuk lejoi që kjo pasiguri të vazhdonte gjatë. Mediat spanjolle, konkretisht e përditshmja “Marka”, informojnë se presidenti është takuar me Zidanin për të hedhur piketat për të ardhmen. Pra, nuk bëhet fjalë për largim, por për vazhdimësi.

“Zidani është një bekim për Realin e Madridit, – u shpreh Perezi pasi u sigurua titullin kampion me fitoren ndaj Vijarrealit, – ai ka qenë pjesë e klubit që në fillim të viteve 2000, dhe e ka treguar veten si futbollist e si trajner. Zidan e ka vendin mes legjendave të këtij klubi”.

E pra, gëzimi për titullin numër 34, të dytin në dy sezone të plota me Zizunë, mund të vazhdojë. Klubi do të mendojë përforcimet për të ardhmen, ndërsa do të bëhet maksimumi që të realizohet mrekullia, të arrihet përmbysja në fushën e Mançester Sitit, pas humbjes së ndeshjes së parë 1-2 në Madrid, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Championsit.

Sfidanti.al