Dy fjalime në katër ditë, “mirë se erdhe” kapiten Leo Mesi!

Sapo ishte mbushur gjysmë ora e parë e lojës në “Kamp Nou” dhe lojtarët po pinin ujë për të rikuperuar djersitjen nga vapa spanjolle. Lionel Mesi përfitoi nga momenti dhe nisi të mbante një lloj fjalimi, më mirë të themi të jepte disa këshilla apo mendime lidhur me lojën, ndërsa shokët e tij e dëgjonin. Në një moment, ai iu drejtuar direkt Ansu Fatihut, ndoshta për ndonjë aksion të mëparshëm, apo për lojën në vazhdim. Kjo ishte hera e dytë që kapiteni e bëri diçka të tillë, pasi ndodhi edhe në ndeshjen e parë të rifillimit të kampionatit, në stadiumin e Majorkës.

Trajneri Kike Setien, ndenji thjesht me duart në mes, duke dëgjuar Mesin e duke pritur që lojtarët e tij të pinin ujë aq sa duhej. Padyshim, që ai i ka folur futbollistëve gjatë javës, por duket se lojtarë të tillë si Mesi, apo siç bëri Ronaldo tek Portugalia e Reali, janë në gjendje të kthehen në “trajnerë në fushë”. Tifozët janë të kënaqur, ndonëse ata e dinë se Mesi i sotëm nuk ta përton, siç kritikoi drejtuesit dy herë muajt e kaluar, apo siç tha vërejtje për lojën e Setienit, vërejtje që trajneri iu përgjigj po publikisht.

Sfidanti.al