Dorëzohet Reali, bën gati 170 milionë eurot për kartonin e Pogbasë!

Pritja e gjatë shpesh të lë pa gjë. Tek Reali i Madridit duket se e kanë mbledhur mendjen që të veprojnë shpejt, pavarësisht kostove, dhe të japin ofertën e duhur për yllin e Francës. Pol Pogba pritet të kalojë në “Santiago Bernabeu”, pasi spanjollët duket se pranojnë vlerësimin e Mançester Junajtidit, prej 170 milionë eurosh për kartonin e tij.

Kështu informojnë mediat britanike, që shkruajnë se presidenti Perez është gati t’i japë francezit kampion të botës, rrogën që tani e merr Garet Bejli, afërsisht 700 000 euro në javë. E gjitha kjo, në një klimë të tensionuar në klub, me Bejlin që nuk dëshiron të largohet, dhe me trajnerin Zidan që nuk e do më në skuadër, një gjendje që cilësohet me të drejtë “lufta civile e Madridit”.

Pavarësisht nga afrimet e shumta të verës, si Eden Hazar, Luka Joviç, Rodrigo, Eder Militao apo Ferlan Mendi, sërish Reali nuk duket i plotë. Humbja në miqësoren ndaj Bajernit nuk mund të quhet shembulli i duhur për të nxjerrë përfundimet, por gjithsesi Zidan e do me patjetër një lojtar të profilit të lartë në mesfushë, dhe ky duhet të jetë Pogba.

Ylli 26-vjeçar ndodhet me Mançester Junajtidin në turneun veror në Australi, ku është aktivizuar, ndërsa shokët e skuadrës dhe trajneri Ole Gunar Solskjer kërkojnë që ai të mos largohet.

Sfidanti.al