De Jong dhe Boateng, Barça mesa duket harron Nejmarin!

Interesi nga Reali i Madridit është ftohur, gjendja e tanishme në Paris është “i dëmtuar”, ndërsa nga “Kamp Nou” lajmet nuk janë aq të mira. Ku shkoi aureola e madhe e Nejmarit, supertalentit që duhej të zinte vendin e Mesit dhe Ronaldos, si Topi i Artë i së ardhmes së afërme? Mediat britanike dhe spanjolle, duke analizuar lëvizjet e fundit të Barcelonës, theksojnë se katalanasit duket se e kanë harruar ish-yllin e tyre të madh, edhe pse ende flitet se ai mund të rivishet “blaugrana”.

“Ardhja e De Jongut dhe Boatengut do të thotë se Barcelona po përqëndrohet ose tek lojtarë të rinj, ose tek ata që janë në moshë të madhe, dhe që mund t’i shërbejnë për një kohë më të shkurtër, – shkruan “Deili Meili”, – pra, mesa duket Barça nuk dëshiron të marrë lojtarë në kulmin e karrierës”. Tabloidi thekson se arsyeja kryesore duket se është borderoja e pagave, pasi katalanasit kanë totalin më të lartë në botë për një skuadër futbolli.

Me Mesin si lojtarin që fiton më shumë, dhe me mjaft rroga të tjera tepër të larta, po ashtu me shpenzimin e madh për De Jongun, përfshi edhe “harxhet”e mëparshme për Dembelenë dhe Kutinjon, nuk duket se ka vend për Nejmarin.

Sfidanti.al