“Cunami demokratik” kërcënon “El Klasikon” e 18 dhjetorit!

Menduan se mund t’ia hidhnin duke shtyrë datën e ndeshjes, por mesa duket nuk do t’ia dalin. “El Klasiko” i 18 dhjetorit në “Kamp Nou” nuk duket se do të jetë i qetë, pasi në Katalonjë po mobilizohen për ta kthyer atë ditë, në një protestë të madhe popullore. Një organizatë në Barcelonë, e mbiquajtur “Cunami demokratik” lëshon kushtrimin. “Me dhunë, me azilantë politikë, pa vetëvendosje dhe pa tërësinë e të drejtave themelore, nuk ka normalitet, – shkruhej në deklaratë, – ditën e 18 dhjetorit, El Klasikon do ta luajmë të gjithë”.

Barcelona-Real Madrid ishte parashikuar për në 26 tetor, por gjendja u përkeqësua pas dënimeve të gjata me burg të dhënë nga gjykata spanjolle për disa politikanë katalanas që organizuan referendumin për pavarësi. Sipas sondazhit të gazetës “Marka”, shumica e lexuesve ishin të bindur se ditën e El Klasikos do të ketë trazira, ndërsa një pjesë e madhe thjesht shpresonin që të mos ndodhte ndonjë gjë e keqe. Vetëm 35 për qind besonin se normaliteti do të garantohej nga forcat e sigurisë.

Sfidanti.al