Çavi i bën një vëretje të fortë “Frans Futbollit”

 

Revista “Frans Futboll”, të hënën e fundit, njoftoi zyrtarisht se Kristiano Ronaldo është fituesi i ri i “Topit të artë”, duke provokuar, sigurisht, si gjithnjë në këto raste, mjaft reagime në opinionin publik, pavarësisht se, paraprakisht, dihej se ky sulmues portugez do të ishte lojtari, në duart  të cilit do të përfundonte trofeu individual më prestigjioz në futboll. Kristiano, në fakt, hyri në garë, duke pasur epërsi ndaj Lionel Mesit dhe Antuan Grizmanit, për asyen e thjeshtë se ai ka fituar trofetë të rëndësishëm më 2016. Kështu vuri në dukje edhe Çavi Ernandezi në komentin që bëri, dje, lidhur me “Topin e artë”, ndërsa i bëri edhe një vërejtje të fortë “Frans Futbollit”.

Futbollisti legjendar i Barcelonës theksoi se Ronaldo e mori “Topin e artë”, sepse ai ka fituar titujt e Ligës së Kampioneve dhe të Evropianit të fundit, por, ndërkohë, kujtoi se, në disa raste të tjerë, futbollistët që kanë fituar titujt më të rëndësishëm kolektivë brenda vitit, nuk e kanë fituar këtë trofe të vlefshëm (sikurse ka qenë rasti me Riberinë dhe Nojerin). “Besoj se Ronaldo e fitoi ‘Topin e artë” për arsyen se titujt mbizotërojnë mbas emrit të tij. Sidoqoftë, duhet të kthehemi vite më parë, kur nuk ka qenë kështu, pasi trofeu individual i ka takuar futbollistit më të mirë, duke pasur parasysh formën e tij individuale”, vuri në dukje Çavi që duhet të kujtojmë se edhe vetë është ndodhur në një situatë, kur atij nuk iu dha “Topi i artë”, ndërkohë që ai, bashkë me ekipin e vet, fitoi tituj të rëndësishëm të tillë, si Liga e Kampioneve, Botërori dhe Evropiani.

Sfidanti.al