Bilbao-Barcelona, rekordmenët ndeshen para kohe në Kupë!

Quhen Barcelona dhe Atletik Bilbao dy rekordmenët e Kupës së Mbretit në Spanjë. Për fatin e tyre të keq, ata do të ndeshen që në të tetat e finaleve, një përballje e madhe për tifozët e futbollit në përgjithësi, por jo për lojtarët dhe trajnerët. Në një short “të hekurt”, Kupa do të ketë dy çifte të mëdhenj, atë mes Realit të Madridit dhe Seviljes, dhe pikërisht Bilbao-Barça. Katalanasit e kanë fituar 28 herë Kupën e Mbretit në 38 finale të luajtura, ndërsa Bilbao ka 23 trofe në 39 finale. Gjithsesi, baskët kanë 32 vjet që nuk ia dalin, me kupën e fundit fituar në 1984 pikërisht kundër katalanasve, në mbrëmjen e sherrit të madh të Maradonës dhe Goikoeçeas. Barça i ka fituar tri përballjet e fundit me Bilbaon, të cilat kanë qenë në finale.