Barcelona ka hapur derën “Exit” për një tufë futbollistesh

Barcelona e mbylli sezonin që sapo përfundoi, jo ashtu sikurse do të dëshironte, duke fituar vetëm një trofe ngushëllues në Kupën e Mbretit, një epilog që sigurisht që nuk i ka përmbushur shpresat e kampit katalonjas që, gjatë viteve të fundit, ka dominuar futbollin botëror. Në këto kushte, pritet që në këtë klub të ndodhin ndryshime të mëdha, për të mos thënë thelbësore. I pari ishte largimi i trajnerit të deritanishëm, Luis Enrike, dhe zëvendësimi i tij me trajnerin e Atletikos së Bilbaos, Ernesto Valverde. Por, tani, përpara është edhe puna shumë më e vështirë, seleksionimi i drejtë i lojtarëve, pra i atyre që do të vazhdojnë të luajnë dhe i atyre që do të duhet të largohen nga klubi katalonjas.

Sidoqoftë, ata që drejtojnë Barcelonën, një diçka e kanë mjaft të qartë, se ekipi duhet “çlirohet” nga një numër i konsiderueshëm lojtarësh aktualë, para se të fillojë sezoni veror i ardhshëm i transferimeve. Gazeta katalonjase, “Sport”, e afërt më kryesinë e klubit të Barcelonës, publikoi, së fundi, një listë me emrat e lojtarëve që ndodhen, eventualisht, pranë derës së daljes, “Exit”, të klubit katalonjas: Dagllas, Vermalen, Munir dhe Teljo, largimi i të cilëve konsiderohet 100 për qind i sigurt, ndërsa, më pas, në listën e mësipërme, vijnë Arda Turan dhe Serhio Samer me mundësinë e largimit – 80 për qind, Zheremi Matje – 50 për qind, Aleish Vidal, Rafinja dhe Lukas Dinj, për të cilët Valverde do të vendosë më vonë, nëse janë ose jo të nevojshëm për të.

Sfidanti.al