Barça lobon kundër Mesit me shokë? Kjo duket e tepërt!

Nëse është arritur deri këtu, do të thotë se klubi katalanas ka rënë në duart më të këqija të mundshme, dhe se deri në zgjedhjet e tjera, vështirë se mund të ketë ditë të bardha. Mediat spanjolle raportojnë se drejtuesit e lartë të Barcelonës kanë pajtuar një kompani që përhap komente negative në rrjetet sociale për … vetë lojtarët e skuadrës. Qëllimi? Radio “Kadena Ser” njofton se kjo bëhet për të forcuar imazhin e drejtuesve, në radhë të parë të presidentit Bartomeu.

Një lloj lufte civile “e sforcuar”, por që ndoshta e ka fillesën në pakënaqësinë e lojtarëve ndaj “bosëve” në “Kamp Nou”. Ka kohë që tek Barça ndodhin gjëra të çuditshme, që nga largimi i bujshëm i Nejmarit, tek vonesa në rinovimin e kontratës së Mesit, dhe te përplasja e fundit e kapitenit me drejtorin sportiv, Erik Abidal. “Kadena Ser” shkruan se pikërisht Mesi, por edhe Pike ishin ndër lojtarët e prekur nga kjo marrëveshje e klubit. Gjithçka duket e tepërt, dhe jo gjithnjë mediat kanë të drejtë në informacionin që japin, por ku i dihet!

Sfidanti.al