Barça e do Grizmanin si “karrem” për Nejmarin, por Rivaldo është kundër!

Shanset nuk janë edhe aq të mira dhe trajneri Kike Setien e theksoi një ditë më parë, por shpresa vdes e fundit. Barcelona e kërkon me ngulm Nejmarin këtë verë, pasi dështoi verën e kaluar (dhe pasi thuajse ylli shkoi tek Reali!), dhe klubi po mendon formulën me shkëmbim lojtarësh. Nuk dihet se çfarë do të kërkojë Paris SG, si alternativa, por në “Kamp Nou” mendojnë se një nga “figurat” më të rëndësishme në këtë “lojë shahu” mund të jetë Antuan Grizman. Sulmuesi francez është një nga yjet e mëdhenj që PSG nuk do ta refuzonte, për më tepër që është nga Franca dhe është kampion i botës.

Sidoqoftë, ka një kundërshti për këtë strategji, që nuk është zyrtare, por vjen nga një drejtim i rëndësishëm. Rivaldo, ylli i Barcelonës, 20 vjet më parë, thotë se katalanasit duhet ta mbajnë Grizmanin sepse Nejmari ka raport të veçantë me francezin. Kjo do t’i ndihmonte që të dy, dhe bashkë me Mesin, Barça do të kishte një vijë sulmi të frikshme. Dakord me logjikën, por në “Kamp Nou” mungojnë financat, ndaj Grizmani edhe mund të sakrifikohet. PSG ndërkaq do të pëlqente më mirë largimin e Nejmarit sesa atë të Mbapesë që e kërkon Reali.

Sfidanti.al