Kupa Libertadores do të luhet; CAS refuzon apelin e Boka Xhuniors

Ndeshja e dytë e finales së Kupës Libertadores mes River Plejtit dhe Boka Xhuniors do të zhvillohet rregullisht në Santiago bernabeu. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv hodhi poshtë apelimin e bërë nga Boka Xhuniors për pezullimin e kësaj sfide dhe skualifikimin  e river Plejtit që do të thoshte fitore në tavolinë e ndeshjes për verdheblutë dhe e trofeut të këtij kompeticioni.

Vendimi i CAS konfirmon atë të CONMEBOL te marrë në datën 6 dhjetor kur hodhi poshtë kërkesën e bërë nga drejtuesit e Boka Xhuniors. Sfida e dytë e finales së Kupës Libertadores ishte parashikuar të zhvillohej në 24 nëntor, por ajo u shty dy herë për shkak të incidenteve të ndodhura pasi një grup tifozësh sulmuan autobusin e Bokas duke plagosur 4 prej futbollistëve të saj. CONMEBOL vendosi që kjo ndeshje të zhvillohët këtë të diel në Santiago bernabeu me skuadrat që prej ditësh ndodhen në kryeqytetin spanjoll duke u përgatitur këtë ndeshje.

Vlen të kujtohet se sfida e parë mes Bokës dhe River Plejtit në La Bombonera ka përfunduar  me barazimin 2-2, një rezultat ky që nuk do të ketë peshë në finalen e dytë pasi golat në fushë kundërshtare nuk merren parasysh.

sfidanti.al