Kupa e Botës 2018: A do t’i vijë më në dorë Belgjikës një shans i tillë?

“Djajtë e kuq” belgë, prej disa vitesh, kanë një nga formacionet më të talentuar në kampionatet botërorë dhe evropianë, por, megjithatë, rezultatet e dukshme mungojnë. Në Botërorin e Rusisë, sidoqoftë, nuk mund të thuhet se “rezultatet munguan”, duke qenë se Belgjika arriti midis katër ekipeve më të mirë të botës. Por, ky rezultat nuk e kënaqi oreksin e belgëve, pasi, kur ju keni në ekip lojtarë që luajnë me klubet më të fortë të Evropës, ju me të drejtë shpresoni që të fitoni titullin e kampionit të botës.
Eden Hazardi ka vite që është futbollisti më i mirë i Çelsit dhe Kevin de Bryjn ka mbas vetes një sezon të shkëlqyer me Mançester Sitin kampion të Premier Ligës, ndërsa Romelu Lukaku ka shënuar 27 gola me Mançester Junajtidin në të gjithë konkurrimet.
Futbollistët belgë të klasit të lartë që janë lojtarë shumë cilësorë, duke filluar që nga portieri dhe duke përfunduar te sulmuesi, në çerekfinale eliminuan Brazilin pretendent, por, kur pritej që ata të bënin edhe një hap tjetër të madh përpara, ata dështuan.
Sfidanti.al