Katër ekipe në gjysmëfinale, anglezët si 35 vjet më parë

Vitet 70-të dhe 80-të ishin epoka e dominimit të klubeve angleze në kupat europiane, e ndërprerë tragjikisht në mes nga masakra e “Hejselit”, por edhe nga forcimi i klubeve nga Italia, Spanja apo Gjermania. Gjithsesi, sot në 2019, skuadrat angleze mund të mburren se kanë arritur një sukses si ai i 35 viteve më parë, duke pasur 4 përfaqësues në gjysmëfinale të kupave.

Arsenali e Çelsi, të kualifikuara në Ligën e Europës, iu bashkuan Liverpulit e Totenhemit në Champions, diçka që thjesht në fazën gjysmëfinale duket më mirë sesa në 1984, kur ishin tri kompeticione kontinentale, pra kishte 12 gjysmëfinalistë gjithsej, nga 8 që janë sot.

Nuk dihet nëse anglezët e sotëm do të jenë po aq të suksesshëm sa patriotët e tyre të atëhershëm, kur të vijë puna për të pretenduar trofetë. Liverpuli kaloi atëherë në finale dhe mundi Romën pas penalltive në stadiumin “Olimpik” po të kryeqytetit italian (në foto), ndërsa Totenhemi arriti në finalen e Kupës UEFA, ku kaloi po me penallti Anderlehtin, pas dy barazimeve 1-1. Notingemi u eleminua në gjysmëfinale të Kupës UEFA nga Anderlehti, ndërsa Mançester Junajtid humbi në mënyrë dramatike me Juventusin në gjysmëfinalen e Kupës së Kupave.

Sfidanti.al