Kasano i pashpirt : Të isha unë, do ta kisha hequr menjëherë Ikardin!

Mauro Ikardi i nxiti përsëri pasionet midis tifozëve të Interit, pasi po kërkon me ngulm rritjen e pagës së tij, kurse në fushë nuk po tregon ndonjë performancë kushedi se çfarë. Një sjellje e tillë e këtij futbollisti ka shkaktur reagime negative jo vetëm midis tifozëve, por edhe midis ish-lojtarëve që kanë mbajtur veshur bluzën zikaltër.
Në fakt, kapiteni i Interit, para disa ditësh, mori mbështetje nga Masimo Morati që konsideron se Ikardi ka të drejtë të kërkojë një pagë më të lartë, por këtë mendim nuk e ka Antoni Kasano që thotë se klubi duhet t’i mbajë dyert të hapura, nëse futbollisti argjentinas kërcënon se do të largohet. Ish-sulmuesi i Interit konsideron se Gonzalo Iguain është një opsion më i mirë sesa Ikardi për Interin.
“Sikur të kisha një shkop magjik, do ta merrja Iguanin nga Milani dhe do të sillja tek Interi që të zëvendësoja Ikardin. Pipita është një kampion i madh. Nëse Ikardi do që të largohet, unë do t’i thosha lamtumirë dhe paç fat! Iguaini është më i mirë sesa ai”, i deklaroi Kasano “Skaj Sport Italias”.
Sfidanti.al