Inter, telashe për Brozovic, kalon me semafor të kuq, alkoltest pozitiv dhe i tërhiqet patenta

Marcelo Brozovic nuk po i ecën në këtë moment. Interin nuk po ndihmon dot në fushën e lojës për shkak dëmtimesh dhe tani dalin problemet edhe jashtë kuadratit të gjelbër të futbollit të luajtur. Në mesnatën mes së premtes dhe të shtunës, një patrullë karabinierësh ndaluan mesfushorin e skuadrës zikaltërt nën drejtimin e një Rolls Royce Cullinan me motor me 600 kuaj/fuqi e vlerë 350 mijë Euro pasi kaloi semaforin me ngjyrë të kuqe në Piazza Cantore.

Pas kësaj kroati iu nënshtrua testit të alkolit që rezultoi me një tejkalim të lehtë të kufirit të lejuar dhe si rrjedhojë iu tërhoq edhe patenta. Alkoltesti tregoi një nivel prej 0.54 gr alkool për litër gjaku, shumë pak mbi nivelin e lejuar 0.5. Kaq ka mjaftuar që ai të sanksionohet. Përvec kësaj, Brozovic u ndëshkua edhe me një gjobë pasi makinën e kishte me targë gjermane dhe që ishte në emër të një kompanie me seli në Mynih edhe pse ai vetë është rezident në Itali prej më shumë se 60 ditësh.

Sfidanti.al