‘Independent’ lëshon bombën; ka shkëmbim Nejmar-Bejl

‘Independent’ lëshon bombën e merkatos; Reali i madridit dhe Paris Sën Zhermeni po mendojnë për shkëmbimin mes Nejmarit dhe Garet Bejl. Sipas të përditshmes britanike kjo ide shihet si zgjidhja ideale për të dy klubet që i ka zënë vërtet halli me futbollistët respektivë të cilët prej kohësh janë izoluar.
Fjalët e Zidane për Bejl se sa më shpejt të largohet aq më mirë do të jetë, i vunë vulën prishjes së raporteve mes francezit dhe uellsianit duke krijuar një situatë që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Për këtë arsye, Paris Sën Zhermeni dhe Reali i madridit prej 2 javësh po punojnë për një shkëmbim të tillë që do të jetë vërtet i bujshëm nëse do të bëhet realisht.

Klubi kampion i Francës tashmë duket i bindur plotësisht për të lejuar largimin e sulmuesit brazilian të cilit po i shtohet cdo ditë e më shumë dëshira për t’i thënë lamtumirën parizienëve. Zgjedhja e parë e Nejmarit padyshim është kthimi te Barcelona, por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e tij po e shtyjnë akoma më shumë drejt shkëmbimit me Realin e Madridit.

Gjithnjë sipas ‘Independent’, Bejl ka marrë oferta të rëndësishme edhe nga Kina, por uellsiani nuk duket entuziast për një transferim në Super League kineze. për t’u theksuar është edhe interesi i shfaqur së fundmi nga Totenham, por për londinezët, pengesa e madhe është pikërisht paga e sulmuesit

Përsa i përket Realit të Madridit, mbërritja e mundshme e Nejmarit në Santiago Bernabeu do të ishte një goditje për rivalët historikë të Barcelonës. ‘Independent’ shton se edhe nëse braziliani në fund nuk shkon te Reali por pikërisht në Camp Nou, te Paris Sën Zhermeni duket se nuk do të tërhiqen nga ideja për të sjellë në Paris, Bejl që konsiderohet një profil interesant për këtë skuadër.

sfidanti.al