Guardiola, një sy tek titulli, një tek dënimi në Champions

Ndeshja në Uatford kaloi mirë, ndonëse minutat e fundit ishin të frikshme. Mançester Siti fitoi tri pikë të tjera në Premier Ligë, duke qenë tani 5 pikë mbi Liverpulin (që ende ka për të luajtur), por mendimet e trajnerit Pep Guardiola janë të ndara në dy drejtime. Në një anë luftohet për titull, në krahun tjetër ekziston rreziku i përjashtimit nga Championsi për shkak të atyre që quhen shkelje në rregullat e Lojës së Ndershme.

Ndaj Uatfordit, Siti ishte ai i zakonshmi dhe Guardiola pas ndeshjes e quajti nivelin e ekipit të tij “top”. Edhe pse portieri veteran Ben Foster bëri disa pritje, Leroi Sane dhe Rijad Mahrez shënuan në fund të pjesës së parë, dhe në fillimin e së dytës. Më pas, katalanasi kërkoi që lojtarët e tij të kursenin energji për ndeshjen e fundjavës ndaj Çelsit, madje hoqi nga fusha David Silvën dhe Vinsent Kompaninë. Vendasit shënuan në 85’ me anë të Dunkuresë, dhe minutat e fundit ishin tepër të vështira, aq sa portieri Ederson mori karton të verdhë për vonesë loje.

Sfidanti.al