Gjyqtari i finales: Ja përse nuk e përjashtova Sergio Ramosin!

Sergio Ramos mund të kishte dalë jashtë me karton të kuq dhe Reali edhe ta kishte humbur finalen e Kupës së Botës të klubeve në Japoni. Gjyqtari Xheni Sikasue tregoi në një intervistë se për një moment kishte vendosur t’ia jepte kartonin kapitenit madrilen, pra ta kishte larguar nga fusha. “Unë nuk e pashë mirë veprimin e Ramosit (ndërhyri nga pas ndaj një kundërshtari), por mora informacion nga ndihmësi im, – tha gjyqtari, – ai më sinjalizoi për faullin, dhe më tha “pa karton”, por unë e kuptova sikur tha “karton”, ndaj bëra gati kartonin. Asistenti më foli për herë të dytë “pa karton” dhe unë e futa kartonin në xhep”. Në këtë mënyrë, Ramos shpëtoi mirë dhe Reali mundi ta luante në kushte të barabarta, 11 ndaj 11, pjesën e mbetur të finales që e fitoi 4-2 ndaj Kashima Antlersit të Japonisë në stadiumin e Jokohamës.