Francë-Gjermani, gjysmëfinale të Champions pa skuadra angleze apo spanjolle

Liga e parë e Kampioneve në epokën Covid po rezulton gjithnjë e më e cmendur dhe plot me surpriza. Në Lisbonë  përfundoi hegjemonia e Spanjës dhe Anglisë që për herë të parë që nga sezoni 1995/96  nuk kanë mundur të cojnë skuadra të tyre në gjysmëfinale të kompeticionit më të rëndësishme për klube. Në krahun tjetër për herë të parë 2 skuadra franceze, Lyon dhe PSG shkruajnë emrin mes 4 më të mirave të kontinentit.

Në fund të fundit, në këtë fazë arritën skuadrat që e përgatitën më mirë Final Eight, ato që kishin më pak ndeshje në këmbët e tyre dhe si pasojë ishin më pak të lodhura. Ligue 1 në fakt u pezullua në mars për shkak të coronavirusit, Bundesliga ishte e para që u rikthye në fushën e lojës për të mbyllur kampionatin në fund të qershorit duke i lejuar lojtarët e Bayernit dhe Leipzigut që të karikojnë bateritë dhe të paraqiten më mirë

Në këtë format, binomi Spanjë-Angli pësoi një goditje të fortë dhe u thye në mënyrë të pabesueshme duke i dhuruar historisë së Ligës së Kampioneve përrallat e Leipzigut dhe Lyonit. Viktimat e sakrifikuara ishin Atletico Madrid dhe Manchester City dhe filozofitë e trajnerëve respektivë, Simeone dhe Guardiola.

Dy mënyra krejtësisht të ndryshme për të kuptuat futbollin, por të bashkuar në Lisbonë nga i njëjti fat. Eliminimet erdhën në mënyra të ndryshme, por të paparashikuara sepse skuadrat që eliminuan Liverpoolin dhe Realin e Madridit, dominueset e Championsit në vitet e fundit rrëshqitën në atë që mund të konsiderohet ‘lëkura e bananes’.

Sfidanti.al