S’mbeti njeri pa ushtruar presion mbi gjyqtarin, madje edhe pastruesja!

Barnli i Anglisë që sezonin e kaluar u bë më të vërtetë një zbulim i bukur në Premier Ligë, përvojën e tij në një konkurrim evropian e nisi me një humbje 1-3 në stadiumin e Olimpiakosit të Pireut në kuadrin e ndeshjes së parë play off të Ligës së Evropës. Barnli, në fakt, zhvilloi një ndeshje solide, ndërsa pati edhe disa shanse që të shënonte, por nuk qe thënë, sepse….
Trajneri i ekipit anglez, Shon Dajsh, konsideron se Barnlin thjesht e grabitën, duke i akuzuar gjyqtarët e ndeshjes për njëanshmëri. Ky trajner me përvojë vuri në dukje se skuadra vendase ushtroi një presion të madh ndaj gjyqtarëve që, sipas tij, u dorëzuan, sidomos, gjyqtari kryesor, slloveni Sllavko Vinçiç, duke ndikuar në rezultatin e ndeshjes.
“Në një moment të gjithë ata që qëndronin ulur në stolin e rezervave të ekipit vendas, u futën në fushë dhe rrethuan gjyqtarin e ndihmësit e tij, duke kërkuar një penallti të paqenë. Kur unë kam lexuar rregullat e përcaktuara nga UEFA, unë kam mësuar se çdo pjesëmarrës në ndeshje e ka për detyre që t’i respektojë personat zyrtarë, por ajo që pashë unë në Athinë në pauzën mes dy pjesëve të ndeshjes, mënyrën sesi ata u sollën me gjyqtarët, ishte me të vërtetë e turpshme. Të gjithë i sulmuan gjyqtarët, edhe lojtarët rezervë të ekipit kundërshtar, trajnerët, madje edhe një pastruese! Kështu që gjyqtarët në pjesën e dytë e kthyen plotësisht gjykimin në favor të ekipit vendas”, deklaroi Dajshi.
Ndeshja e kthimit në Angli do të luhet këtë të enjte dhe ka shumë mundësi që Barnli do të përpiqet shumë që të kualifikohet për në një konkurrim evropian mbas më shumë se gjysmë shekulli.