Pas lavdeve të Bekamit, Junajtidi i Solskjerit shkëlqen në Europë

“Trimin” që i duhej e ka gjetur, dhe Pol Pogba mund të largohet pa shumë pendesa. Mançester Junajtidi i Ole Gunar Solskjerit po shkëlqen gjithnjë e më shumë, dhe pas lavdërimeve të bëra nga Dejvid Bekam, “djajtë e kuq” dhanë një provë në fushën e lojës. Kaluan në 16 më të mirët e Ligës së Europës në mënyrë triumfale, duke mundur 5-0 një rival jo edhe aq të lehtë, si Klub Bryzhin, dikur finalist i kupave kontinentale, dhe ekip i zoti për t’i marrë barazimin Realit.

“Trimi” është Bruno Fernandez, pasi ish-kapiteni i Sportingut po tregon në çdo ndeshje se çfarë niveli ka. Ai shënoi edhe një gol për fanelën e re, ndërsa çështja e kualifikimit u zgjidh që në pjesën e parë. Odion Igalo, sulmuesi i ri i marrë në janar, shënoi golin e dytë në 34’ dhe Skot Mektominaj shtoi të tretin në 41. Në minutat e fundit pati lavdi për brazilianin Fred, që shënoi dy gola, dhe që po tregon se përse Zhoze Murinjo e mori në “Old Traford”. Solskjer është me besim në Europë, por edhe në Angli, jo larg vendit të katërt. Championsi duhet të mbërrihet patjetër, dhe Dejvid Bekam beson tek ish-shoku i tij i skuadrës.

Sfidanti.al