Liga e Europës, Arsenal fiton “klasiken”, heroizëm i Frankfurtit

Dueli anglo-italian përfundoi me fitoren e të parëve dhe Napoli tashmë është jashtë Ligës së Europës, duke bërë që skuadrat e Serisë A të mos kenë asnjë përfaqësues në gjysmëfinalet e dy kupave kontinentale. Kaloi Arsenali, që i shtoi edhe një fitore 1-0 në “San Paolo”, suksesit 2-0 në Londër një javë më parë.

Goditja e dënimit, ekzekutuar shkëlqyeshëm, nga Aleksandër Lakazetë në pjesën e parë, ishte diferenca me skuadrave. Napoli pati epërsi në zotërimin e topit (66 për qind), dhe në gjuajtjet totale (19-7), por ishte  i pasaktë me vetëm 3 goditje në kuadrat, ndaj 4 të londinezëve.

Në gjysmëfinalen e Ligës së Europës edhe skuadra tjetër angleze, Çelsi, ndonëse pësoi tronditje me Sllavian e Pragës, pavarësisht se luante në “Stemford Brixh”. Fitore 4-3, duke qenë në avantazh 3-0 dhe 4-1. Pedro shënoi dy gola, Zhiru një tjetër, si dhe pati një autogol. Suçek dhe dy herë Sevçik, autorët e rrjetave për çekët.

Heroizmin në çerekfinale e bëri Ajntrahti i Frankfurtit që mundi 2-0 Benfikën, duke përmbysur humbjen 2-4 në ndeshjen e parë. Skuadra gjermane po vazhdon sezonin e jashtëzakonshëm, ndërsa më parë eleminoi Interin e Milanos. Filip Kostiç në 36’ dhe lojtari i kombëtares së Gjermanisë, Sebastian Rode, në 67’, ishin autorët e golave të kualifikimit.

Së fundi, Valencia fitoi përsëri në derbin spanjoll nda Vijarrealit, këtë herë në “Mestaja” me shifrat 2-0. Lato dhe Daniel Pareho shënuan, secili në një pjesë loje, ndërsa edhe ndeshja e parë ishte fituar nga Valencia, 3-1. Gjysmëfinalet do të jenë Frankfurt-Çelsi dhe Arsenal-Valencia, e do të luhen në 2 e 9 maj.

Sfidanti.al