Kështu nuk shkon Junajtid, asnjë gjuajtje në portë në Ligën e Europës

Kush nuk e di sesa i vështirë po del ky sezon, veçse që të arrihej deri këtu, nuk mendohej. Mançester Junajtid dha një tjetër paraqitje të dobët, këtë herë në Ligën e Europës, duke mos gjuajtur dot asnjëherë në kuadratin e portës, në ndeshjen e luajtur në Holandë, ndaj AZ Alkmarit. Natyrisht, ndikoi fort fakti që trajneri Ole Gunar Solskjer kishte zgjedhur një formacion me djem të rinj, por sidoqoftë ata ishin futbollistë profesionistë, madje në fushë ishin De Gea, Lindelof, Fred, Matiç, Mata, dhe në 20-30 minutat e fundit luajtën edhe Lingard e Rashford.

“Djajtë e kuq” janë në pozicion të mirë në grup, në Ligën e Europës, me 4 pikë pas dy ndeshjeve, po aq sa Partizani i Beogradit, por kjo nuk duhet të vlerësohet kaq lart në një nivel relativisht të lehtë për të. Aq më tepër, që fitorja e parë, në “Old Traford” ndaj Astanës u arrit vetëm me një gol (1-0).

Në orën 17:00, u luajtën mjaft ndeshje në këtë konkurrim, që i përkisnin grupeve G, H, I, J, K dhe L. Spikasin fitorja 2-0 e Fejënordit ndaj Portos, ajo 2-1 e Jang Bojsit ndaj Gllazgou Rejnxhërsit, suksesi 3-0 i Ludogorecit në fushën e Ferencvaroshit, barazimi 1-1 në Sent Etien-Volfsburg, triumfi 1-0 i Uolvesit anglez në Turqi ndaj Beshiktashit, si dhe barazimet 1-1 në grupin J, Bashaksehir-Mynshengladbah e Volfsberger-Roma.

Sfidanti.al