Kaçe nuk mjafton për Plzenin, por Pogba ia del me Junajtidin!

Ergys Kaçe nuk ishte i mjaftueshëm për Viktorian e Plzenit në përballjen e tretë në grupe në Ligën e Europës. Skuadra çeke pësoi një humbje në fushën e vet ndaj Astrës së Rumanisë, disfatë që mund të rezultojë fatale në fund. Mesfushori i kombëtares luajti nga minuta e parë deri në të fundit, por rumunët kryesuan 2-0 me golat e Alibecit dhe autogolin e Horzhavës. Vetë Horzhava shkurtoi diferencën, por humbja nuk u shmang dhe Plzen është në vend të fundit në grup me 2 pikë. Në krye janë Roma dhe Austria e Vjenës, që barazuan në Itali 3-3, me nga 5 pikë.

Përveç Romë, gabuan edhe disa ekipe nga ligat e njohura, si Mainci që barazoi 1-1 me Anderlehtin apo Bilbao që u thye 0-2 në fushën e Genkut, ndërsa Sasuolo italiane shmangu disfatën në Austri ndaj Rapidit.

Nuk gaboi ndërkaq Mançester Junajtid, shumë i kritikuar për lojën nën drejtimin e Zhoze Murinjos. “Djajtë e kuq” realizuan më në fund një ndeshje të madhe këtë sezon, duke thyer 4-1 Fenerbahçen në “Old Traford”. Pogba shënoi dy herë, dhe Marsial e Lingard shtuan nga një gol, ndërsa për turqit rrjetën e vetme e siguroi ish-lojtari i Junajtidit, Robin Van Persi.

Fitore bindëse të vendasve në grupin B, ku Olimpiakos kaloi 4-1 në Pire Astanën e Kazakistanit, dhe Jang Bojsi triumfoi 3-1 në Zvicër ndaj APOEL-it të Nikozisë, ndërsa nuk falën Zeniti rus me shifrat 2-1 në Irlandë me Dundalkun, dhe Sent Etieni që kaloi 1-0 Kabalën.

B. Kuka