Frika nga dhuna në Rusi, Junajtid i jep “rekomandim” tifozëve!

Përplasja mes tifozëve është frika më e madhe e Mançester Junajtidit, në prag të ndeshjes së të enjtes në Rusi ndaj Rostovit. Rreth 400 tifozë anglezë pritet të udhëtojnë me skuadrën për sfidën e parë të të tetave të finaleve të Ligës së Europës, dhe drejtuesit në “Old Traford” duan të marrin të gjitha masat që asgjë e keqe të mos ndodhë. “Mos u vishni me ngjyrat e Junajtidit, dhe mos u largoni nga dy rrugë që do të jenë të mbrojtura nga policia, – është udhëzimi, – jeni fuqimisht të paralajmëruar që të mos tërhiqni vëmendjen në qytet”.

Ekzistojnë dy arsye kryesore që shkaktojnë frikë. Së pari, përplasja mes tifozëve anglezë dhe rusë në Marsejë të Francës gjatë Euro 2016-ës, dhe së dyti shpërthimi i dhunës javën e fundit në Rusi, në përballjen me CSKA-së së Moskës dhe Zenitit të Shën Petersburgut. Pavarësisht se shumica e tifozëve të Rostovit janë krejtësisht normalë, mjafton prania e disa dhjetëra apo disa qindra huliganëve për të sjellë sherrin. Vite më parë, dy tifozë të Lids Junajtidit humbën jetën në Stamboll pasi u goditën me mjete, në përballjen me Gallatasarajin.

Fillimisht, Junajtid u shqetësua më shumë për distancën prej disa mijëra kilometrash që do të duhet të përshkojë skuadra, por tronditja nga përleshjet e tifozëve është më e madhe.

Sfidanti.al