Europa i kushton shumë Mançester Junajtidit përpara Kupës së Ligës

Dy prej lojtarëve më të mirë Zhoze Murinjo nuk do t’i ketë në finalen e parë të sezonit, ditën e diel. Mançester Junajtid ndeshet me Sauthemptonin në “Uembli” të Londrës për trofeun e Kupës së Ligës, dhe sulmuesi Henrik Mkitarian si dhe mesfushori Majkëll Karrik, mbetën të dëmtuar në betejën e Ligës së Europës në Francë. Mkitarian shënoi golin e vetëm të ndeshjes ndaj Sent Etienit në minutën e 17-të, por u zëvendësua menjëherë më pas, në minutën e 25-të.

Dëmtimi i Karrikut u duk edhe më i rëndë dhe Majkëll Ouen, ish-sulmuesi i Liverpulit dhe Anglisë, deklaroi se “për mendimin tim ai do të mungojë disa javë”. Murinjo u mjaftua të thoshte se Mkitarian dhe Karrik vështirë të bëhen gati për të dielën, ndonëse trajneri portugez ka mjaft futbollistë nga të cilët mund të zgjedhë. Veçse, nëse në sulm ai ka Ibrahimoviçin, Runin, Marsialin apo Rashfordin, në mesfushë Karrik duket tepër i rëndësishëm. Mediat e ngritën në qiell duke e quajtur “shefin” e Junajtidit në Francë, dhe që meriton të ketë një rinovim kontrate pavarësisht nga mosha e madhe.

Sfidanti.al