E kujtoni legjendën skoceze Mekkoist? Morelos e kaloi në Europë për golat!

Në vitet 80-të, por edhe në mesin e viteve 90-të, ai ishte një shënues i shkëlqyer. Alli Mekkoist ishte legjendë e Gllazgou Rejnxhërsit dhe e Skocisë duke shënuar rreth 450 gola në karrierë, por sot rekordit të tij europian i ka ardhur fundi. Alfredo Morelos, i mbiquajtur “bualli” (El Bufalo) arriti në 22 rrjeta për Rejnxhërsin në kontinent, duke shënuar në Portugali ndaj Benfikës për Ligën e Europës. Mekkoisti kishte arritur në 21. Trajneri Stiven Xherrard është i lumtur për të, i kënaqur edhe me ekipin që mori një barazim në fushën e një skuadre të madhe, por gjithashtu i dëshpëruar që ekipi i tij ishte në avantazh, dhe po ashtu në epërsi numerike, por nuk ia doli që të fitonte. Xherrardi me shumë gjasë mund ta fitojë titullin në Skoci këtë sezon, pas shumë vitesh, por nuk dihet nëse do të kthejë kohët e arta në Europë.

Sfidanti.al