Do të luhet apo jo në Ukrainë? Arsenali pret në Kiev!

Nuk është e lehtë për tifozët ukrainas që të ndjekin ekipin e tyre në masë të madhe, kur ndeshja luhet gati 300 km larg. Vorskla e Poltavës është gati ta bojkotojë sfidën ndaj Arsenalit në Ligën e Europës, që u zhvendos nga UEFA për në Kiev. Vorskla ka marrë shumë ankesa nga tifozët, pasi 17 000 prej tyre kishin blerë bileta për ta ndjekur duelin në stadiumin e qytetit, ndërsa tani duhet të bëjnë rrugën vajtje-ardhje prej mbi 600 km, gjë që kërkon shpenzime.

Zv. presidenti i Vorsklës, Oleh Lisak, u shpreh se klubi po konsideron variantin që të mos luajë. Ai theksoi se nuk ka marrë informacionin e duhur nga Kievi, për mënyrën sesi tifozët do ta ndjekin ndeshjen europiane. Arsenali vetë, u stërvit në Londër dhe shkoi të mërkurën vonë në Kiev, dhe anglezët kanë përshtypjen se do të luhet. Ukraina është tronditur nga përplasja e fundit me Rusinë, ndërsa presidenti Poroshenko dhe parlamenti kanë vendosur gjendjen e jashtëzakonshme.

Sfidanti.al