Ajaksi me një futboll “bërthamor” e çmontoi Lionin!

Tinejxherët e Ajaksit të Amsterdamit nuk fituan, në stadiumin “Johan Krojf Arena”, por, me të vërtetë, e “shkelën me këmbë” Olimpikun e Lionit, duke e mundur atë thellë 4-1, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës, dhe duke performuar në fushë një futboll tërheqës që të kujtonte futbollin e “ditëvë të bukura” të Ajaksit të dikurshëm të Krojfit. Lojtarët e rinj të këtij klubi gjigant holandez, shumica të dalë nga akademia e futbollit të tij dhe midis të cilëve në fushë kishte edhe dy 17-vjeçarë (njeri prej tyre i biri i Patrik Klajvertit), e treguan, edhe një herë tjetër, se Ajaksi jo më kot është i lavdishëm dhe se ata janë pasardhës të denjë të Krojfit të madh, me emrin e të cilit u quajt, ditët e fundit, stadiumi i Ajaksit të Amsterdamit.

Ajaksi e tregoi veten se, më të vërtetë, është një makineri që është në gjendje “t’i grijë” ekipet e tjerë, ashtu sikurse bënte, para disa dhjetëvjeçarësh, kur në krye të tij kishte Krojfin e madh me shokët e tij. Viktimë e radhës e yjeve të ardhshëm të Ajaksit që me lojën e tyre treguan një sharm të pashoq, ra ekipi francez me pretendime, Lioni, megjithëse pakkush mund të ketë parashikuar se ekipi amsterdamas do të mund të arritne në kuartetin e më te mirëve në Ligën e Evropës. Ndeshja e kthimit mes Lionit dhe Ajaksit do të luhet të enjten e ardhshme.

Sfidanti.al