Efenbergu – Dortmundit: Blijeni Boatengun..do të fitoni Bundesligën!

Borusia e Dortmundit, megjithëse luftoi deri në fund, përsëri mbeti duarbosh, kur është fjala për trofeun e Bundesligës, kështu që ajo u detyrua ta përgëzonte edhe një herë tjetër Bajernin e Mynihut që doli kampion i Gjermanisë me dy pikë më shumë se klubi dortmundas.

Natyrisht që Borusia edhe sezonin e ardhshëm do të përpiqet që ta fitojë Bundesligën, kështu që ajo ka bërë disa blerje mjaft të mira, duke angazhuar futbollistët ofensivë, Julian Brant dhe Torgan Azar, si edhe mbrojtësin e majtë, Niko Shulc. Por, siç duket, klubi dortmundas nuk do të ndalojë dhe ka në plan që të blejë lojtarë të tjerë, madje në këtë drejtim Borusia mori një këshillë edhe nga legjenda e futbollit gjerman, Shtefan Efenberg, se cilin lojtar tjetër duhet të angazhojë ajo, nëse do që të fitojë Bundesligën.

Efenbergu është i bindur se Borusia duhet të trokasë në derën e Bajernit të Mynihut dhe t’i kërkojë atij që t’i shesë mbrojtësin me përvojë, Zherom Boateng, që ka dalë “tepricë” në “Alianc Arena”.

“Dortmundi është i vetmi ekip në Bundesligë që ëshë ideal për Boatengun, prandaj unë do t’i rekomandoja blerjen e tij, sepse kjo do të ishtë një zgjidhje shumë e mirë. Me të Borusia do të mund të luftojë për titullin e Bundesligës, madje edhe ta fitojë atë”, deklaroi Efenbergu.

Sfidanti.al