Ditë të vështira për Maradonën: ka nevojë për gjunj artificialë!

Diego Maradona u pa gjatë ditëve të fundit në seancën stërvitore të klubit meksikan Dorados që ai tani drejton, duke ecur me vështirësi i mbështetur mbi një shkop! Tani u zbulua se ky ish-futbollist, dikur me këmbë të shpejta si lepur, ka artrit të një shkalle të lartë, kështu që do të jetë i detyruar që t’i nënshtrohet një operacioni. Mjeku kirurg Hermano Oçoa që e mban nën kontroll Maradonën, zbuloi se ish-asi argjentinas ka artrit të rëndë në të dy gjunjtë dhe se e vetmi opsion është ndërhyrja kirurgjikale, në kuadrin e së cilës atij do t’i vendosen gjunj artificialë.

Për shkak të kësaj sëmundjeje, Maradona 58-vjeçar, në fakt, është operuar në vitin 2004, ndërkohë që tani ai përdor një lloj xheli special që të pakësojë dhimbjet që ai ka në gjunj. Sipas mjekut të lartpërmendur, kockat e gjunjve të tij fërkohen njëra me tjetrën, duke i shkaktuar atij dhimbje dhe hematoma, për shkak të të cilave ai tani ecën me vështirësi.

Sfidanti.al