Zidan analizon Ronaldon: Kërkoj gjithmonë shumë nga Kristiano

Kristiano Ronaldo nuk shënoi në Champions dhe kjo përbën lajm, madje edhe për trajnerin e tij, Zinedin Zidan. Francezi e lavdëroi pa asnjë mëdyshje portugezin, ndonëse gjatë ndeshjes me Legian shpresoi që ta dërgonte topin në rrjetë. “Të gjithë donim që ai të shënonte, – tha trajneri i Realit, – ai dëshironte edhe më shumë se ne. Është e vërtetë që të gjithë prisnim shumë nga ai”.

Zidan, pra, pati edhe lavdërime, por edhe një zhgënjim të lehtë nga Kristiano, pasi është mësuar që ylli i tij të realizojë shumë më tepër. Francezi është i detyruar të kënaqet me një gol të Ronaldos në fundjavë në ligën spanjolle ndaj Betisit, por edhe me asistet e tij për gol. “Shënimi i golave ka qenë forma e tij e lojës, por gjithnjë do të kërkojmë sa më shumë nga ai, sepse është Kristiano, dhe ai e di”, – përfundon Zinedin Zidan.

Reali fitoi 5-1 ndaj Legias në “Bernabeu” dhe trajneri francez zgjodhi lojën sulmuese, duke krijuar shumë raste, por edhe duke rrezikuar në mbrojtje, aq sa media spanjolle po nënvizon se ky Madrid pëson më shumë gola sesa sezonin e kaluar.

B. Kuka