“Të zbuluar, të ngadaltë, CR7 me probleme”, Sarri tremb Juven!

Nuk qenka edhe aq e lehtë ta bësh këtë makinë të ecë siç duhet. Mauricio Sarri nuk mbeti edhe aq i kënaqur nga Juventusi i tij, edhe pas fitores në Moskë që solli kualifikimin. Trajneri napolitan bëri kritikat e radhës, secila prej të cilave është një çështje më vete. “Kualifikimi ishte gjë e mirë, – tha Sarri, – por, Juventusi nuk më pëlqeu. Shumë të zbuluar e të hapur në lojën mbrojtjëse në pjesën e parë, shumë të ngadalshëm në të dytën”.

Juventusi pati disa mungesa (De Ligt, Kielini), po ashtu ndonjë lojtar jo në formën e duhur fizike si Pjaniç, por gjithsesi, duket se do të duhet kohë që skuadra të mësohet me lojën e trajnerit të saj. Shqetësimi tjetër i madh ka të bëjë me Kristiano Ronaldon. Sarri pohoi se superylli portugez ka një dhimbje në gju, gjë që nuk e lejon të japë maksimumin. “Kjo e zemëron pasi nuk mundet të jetë vetvetja, e zëvendësova për të mos rrezikuar shumë”, – ishin fjalët e teknikut.

Sfidanti.al