Stadiumet, virusi dhe … Bajerni! Ja pse UEFA zgjodhi Lisbonën!

Stambolli gjithnjë e më shumë po mbetet jashtë. Liga e Kampionëve nuk mund t’i luajë ndeshjet e saj të fundit në qytetin e madh të Turqisë, sepse autoritetet vendase e shohin si me humbje të madhe që të zhvillohen takimet çerekfinale, gjysmëfinale si dhe finalja, pa praninë e spektatorëve në stadium. Stambolli ishte zgjedhur si qyteti i finales së këtij sezoni të Champions, që do të mbahej në impiantin modern “Ataturk”, aty ku Liverpuli fitoi titullin në 2005.

UEFA ka diskutuar një qytet tjetër për të përfunduar turneun e madh, dhe në analizë u morën Moska, Frankfurti e Lisbona. Presidenti Çeferin nuk deshi që të shkohej në Rusi, jo edhe aq për distancën, sesa për numrin e madh të rasteve të koronavirusit në kryeqytetin më lindor të Europës. Frankfurti i pati letrat në rregull, por doli një “kleçkë”, që i prishi punë. Në Champions mbetet Bajerni, pra ndeshjet në tokën gjermane mund të shiheshin si favorizim i drejtpërdrejtë për bavarezët. Mbeti Lisbona, që pati pluse të rëndësishme. Në Champions nuk ka skuadra portugeze, ka pak raste koronavirusi në Portugali dhe në Lisbonë, si dhe qyteti ka disa stadiume, ku mund të luhet.

Sfidanti.al