Siti në “kudhrën” e Realit, komentojnë Hargrivs dhe Begiristain

Më keq nga të gjithë u ndje Mançester Siti. Pavarësisht shkëlqimit në lojë, financave të fuqishme dhe personalitetit të jashtëzakonshëm të Pep Guardiolës, kampionia e Anglisë e di sesa e vështirë do të jetë ndaj Realit të Madridit. Një koment për duelin e bëri ish-lojtari i Anglisë dhe Bajernit, Ouen Hargrivs. “Short më të keq se ky nuk mund të kishte, – u shpreh ai, – Reali i Madridit është tepër i vështirë kur është në ditën e tij, me gjithë ata yje që ka në përbërje. Mendoj se Pep Guardiola e ka të qartë se çdo të thotë ky short”.

Madridi është 13 herë kampion i Europës, pra e njeh Championsin si shtëpinë e vet, i ka ndeshjet si “bukë e djathë”, por Hargrivsi shton edhe se Reali ka probleme. “Ekipi nuk ka bindur gjithnjë, ka pasur edhe dëmtime, pra edhe Reali nuk do ta ketë të lehtë, – tha ai, – mendoj se shanset janë thuajse të barabarta”. Çiki Begiristain, drejtuesi sportiv i Sitit, që punoi me Guardiolën tek Barcelona, vlerësoi se “është një duel mes dy trajnerëve më të mirë, shumë interesant, dhe në një stadium që ne e njohim mirë, një duel i madh”.

Sfidanti.al