Plot 70 000 anglezë në Madrid, bizneset nuk dinë a të gëzohen!

Kur luhen finalet, tifozët janë të shumtë në qytetet organizatore, dhe sidomos kur luajnë skuadrat angleze, “hordhitë” janë edhe më të mëdha. Të paktën 70 000 ishullorë pritet të jenë në Madrid, për finalen e Championsit, Liverpul-Totenhem, dhe bizneset në kryeqytetin e Spanjës nuk dinë nëse duhet të gëzohen apo jo.

Natyrisht, kanë arsye për t’u gëzuar pasi do të thotë 70 000 turistë, me xhepat relativisht plot, pra më shumë para të shpenzuara në dyqane, bare, restorante apo hotele, por gjithsesi edhe më shumë frikë për dhunë. Sherret kanë qenë të pranishëm shpesh herë në ngjarje të tilla dhe disa biznese në Madrid po mendojnë ta mbyllin punën të shtunën herët, dhe pastaj të ngrenë qepenat të hënën.

Nga 70 000 tifozët anglezë, gati 20 000 do të jenë pa bileta, pra do ta shohin ndeshjen nëpër sheshe dhe lokale, një arsye më shumë për të shtuar fitimet, por edhe për t’iu trembur konflikteve.

Sfidanti.al