Pas Kupës së Holandës, Championsi; Ajaksi gati për Totenhemin!

Trajneri Ten Hag ka vetëm një dyshim dhe nuk është i vogël. Sulmuesi brazilian, David Neres nuk është i sigurt për ta nisur ndeshjen e sotme të Championsit ndaj Totenhemin në Arenën “Johan Krujf”. Për fat, nuk pati dëmtime të tjera pas finales së Kupës së Holandës, që Ajaksi e fitoi ndaj Vilemit për të bërë të vetin trofeun e parë të sezonit. Titulli kampion është vetëm 2 ndeshje larg, por për momentin rëndësi ka gjysmëfinalja e dytë ndaj Spërsave.

“Ne duhet të fitojmë ndeshjen, – tha Ten Hag në konferencë për shtyp, – kjo duhet të jetë mënyra sesi duhet të hyjmë në ndeshje, dhe sesi duhet ta luajmë atë. Duhet të mbështetemi tek mënyra jonë e lojës, tek anët tona të forta”. Trajneri holandez mori si shembull pjesën e dytë në Londër, ku Ajaksi u detyrua të mbrohej dhe e pati shumë të vështirë. Skuadra nga Amsterdami ka epërsinë e një goli, shënuar nga Doni De Bek, dhe është favorite për t’u kualifikuar në finale, ku pret Liverpuli.

Sfidanti.al