Myrto Uzuni nuk shkëlqen vetëm në Kroaci, edhe Hungaria po njeh “Kovaçin” e ri nga Berati!

Topi ka nisur të rrotullohet dhe ai nuk mungoi të ishte aty. Myrto Uzuni nuk mund të ndodhej jashtë formacionit të Ferencvaroshit hungarez në duelin e madh të Championsit ndaj Dinamos së Zagrebit. Në një ndeshje me një takim, luajtur në Budapest, një shqiptar ishte përballë një tjetër shqiptari, kapitenit të kroatëve Arijan Ademit. Kapiteni Gergo Lovrençiç kaloi hungarezët në epërsi shumë shpejt, që në minutën e dytë, ndërsa më pas protagonist, për mirë e për keq, u bë Uzuni. Ai shkaktoi një autogol, por pastaj reagoi dhe realizoi rrjetën e fitores 2-1. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte vërtet vendimtar.

“Punova shumë për ta shënuar atë gol dhe jam i lumtur që ia arrita, – tha Uzuni pas ndeshjes, – isha i pafat tek autogoli, por ndihmova në kualifikimin dhe kjo është kryesorja”. Tifozët nuk u lejuan në ndeshje, siç vazhdojnë të jenë rregullat, por ultrasit e Ferencvaroshit nuk deshën të ishin larg ekipit të tyre të zemrës. Ata u mblodhën pranë stadiumit dhe festuan çmendurisht një kualifikim të vështirë ndaj Dinamos së Zagrebit, që vjet ishte në fazën e grupeve të Championsit, ndërsa Ferencvaroshi tani është në plej of, dhe do të provojë të jetë ai në fazën e grupeve.

Nuk ishte mbrëmje e mirë për skuadrat e Ballkanit Perëndimor, pasi bashkë me Dinamon e Zagrebit u eleminua edhe Crvena Zvezda. Kampionia e Serbisë u mposht pas penalltive në fushën e Omonias së Nikozisë në Qipro, pasi ndeshja dhe shtesat përfunduan në barazim 1-1. Luftner kaloi vendasit në epërsi në 31’, por Ivaniç barazoi në fund të pjesës së parë për ekipin e trajnerit Dejan Stankoviç. Penalltitë ishin në favor të qipriotëve që triumfuan 4-2, dhe Zvezda kaloi në plej ofin e Ligës së Europës. Ajo do të jetë një nga rivalët e mundshëm të kampiones së Shqipërisë, Tiranës, ndoshta për të luajtur një tjetër sfidë, si ajo e turit të dytë të Championsit, që tiranasit e humbën pa fat 0-1 në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al