Mesi zbulon se cilët janë favoritet për Champions-in e ketij sezoni

Mbas afro dy muajsh, Champions-i, më në fund, po rifillon dhe, qysh në fillim, ai do të sjellë “beteja” të mëdha. Të martën, do të ndeshen Juventusi dhe Totenhemi, por sigurisht që, në qendër të vëmendjes, do të jetë, një ditë më vonë, ndeshja mes Realit të Madridit dhe PSZH-së. Më pak eksituese do të jenë ndeshjet mes Bazelit e Mançester Sitit dhe Portos e Liverpulit. Në fakt, Liga e Kampioneve ka kohë që nuk ka qenë aq interesante dhe kurrë nuk ka pasur më shumë favoritë sesa kësaj here. Dy vitet e fundit ka dominuar Reali i Madridit që mbron, sivjet, titullin e kampionit, por shumëkush beson se, këtë herë, ai do të zbresë nga froni. Sipas qëndrave të bastit, favoriti nr.1 është Barcelona që po luan shumë më mirë sesa gjatë dy viteve të fundit, por këtu janë edhe PSZH-ja dhe Mançester Siti që, deri tani, “kanë shkelur” gjithçka që kanë ndeshur para.

Një nga futbollistët më të mirë të botës, Lionel Mesi, u tha disa mediumeve angleze se është ende shpejt që të thuhet se cili ekip do ta fitojë Champions-in, por se dihet se favoritet janë, gjithnjë, të njëjtë. Sidoqoftë, sipas tij, Mançester Siti është një nga klubet më të mirë në Evropë, por këtu është edhe PSZH-ja, ndërkohë që nuk duhet të harrohet as Reali i Madridit, pavartësisht nga forma e keqe e tanishme. Po ashtu, konsideron Mesi, në garë është edhe Bajerni i Mynihut, por, megjithatë, ai veçoi si favorit kryesor Sitin dhe PSZH-në para Realit dhe Bajernit.

Sfidanti.al